Si po ‘pushtohet’ Karaburuni


Karaburuni, gadishulli me i madh në Shqiperi, territor deri më sot i paeksploruar, m’u duk çuditërisht i populluar në udhëtimin tonë të parë. Para se të niseshim kishim frikën se do shkonim në një vend të pashkelur dhe u pajisëm mirë me ushqime, çadër, uje e pije freskuese. Por u gabuam. Në plazhin e Shen Vasilit ku ndaluam pamë po aq njerez sa në plazhet e Radhimës. Çadrat dhe shezlonet ishin zënë të gjitha. Dhjetra djem te rinj, që ndoshta këtë udhëtim e bënin përdite, ishin rreshtuar të gjithë në zonën e molit dhe hidheshin me radhë nga lartësia.Pas çadrave ndodhej restoranti, i ndërtuar me dru, dhe jo me beton, fatmirësisht. Aty normal nuk mungonte as ushqimi as pijet, as kafeja. Asgjë nuk mungonte, kur mendon që ky destinacion u shkel vetëm një vit më parë në 2014, kur anija Rexhina dergoi turistet e pare per te eksploruar plazhet e bukura. Ndersa tani rrugen e mesuan plot anije, varka dhe motorskafe. Teksa udhëtonim me anije shikonim shtëpiza portative të vendosura në plazhet më të bukura.

Shen Vasili, Karaburun

Po kush janë ata që po zaptojnë pak nga pak këto plazhe të virgjera, këtë pasuri ku të gjithë ne shqiptarët kemi pjesë? Me aq sa vura re, pronaret e rinj te Karaburunit, jane ata qe kane nje mjet lundrues. Nese ke nje skaf, shkon e ze nje plazh te paprekur, dhe bëhet i yti, te pakten deri sa te mberrije shteti. ‘Pushtimi’ sapo ka filluar. Nuk kemi dëgjuar deri tani ndonjë lajm për një plan menaxhimi të gadishullit Karaburun dhe ishullit të Sazanit që gjithashtu sapo u hap për publikun. Në fakt pushtimi nuk po bëhet vetëm nga deti. Ata që e njohin mirë zonën kanë nisur të udhëtojnë përmes bazës së Pasha Limanit edhe me makinë. Dhe pse rruga eshte e ngushte dhe e shkatërruar, foristradat mund të shihen edhe nga anijet, teksa pershkojne gadishullin. A mundet shteti yne të kontrollojë të gjithë ata që do ngrene bizneset e tyre në Karaburun? A ka shteti mjete të shpejta motorike që të eksplorojnë gjithçka që bëhet në këto zona të virgjëra?  A ka një plan zhvillimi dhe një plan ndalimi, ku s’duhet të lejohet askush të vëjë dorë? Çfarë po i paguajnë shtetit ata që tashmë po i shfrytëzojnë këto vende dhe po u ofrojnë shërbime turistëve në Karaburun? Këto ishin pyetjet që më erdhën në mendje teksa u larguam nga gadishulli. Gjeja që më bëri pershtypje ishte se një prej djemve marinarë të anijes, hipi i fundit ne anije para se të niseshim, me thasët me plehra të lokalit. Plehrat erdhën me ne në Vlorë. Normal në Karaburun nuk ka pushtet lokal që të kujdeset për plehrat, dhe është gjë e mirë që ai gadishull të mbahet pastër deri sa të plotësohen gjithë kushtet për një jetesë normale.

Plazhi ne Sazan

Në fakt dita e dielë 26 korrik, kur ne udhëtuam për Karaburun, ishte dhe dita e parë e hapjes publike për Sazanin, ishullin e harruar e të izoluar vitet e fundit. Ishim më fat që anija jonë do të udhëtonte dhe aty për herë të parë. Sazani na u duk sa madhështor aq dhe i braktisur. Anes portit, pamë një plazh të thjeshtë ku njerëzit kishin lidhur çarçafë mbi shkopinj për t’u mbrojtur nga dielli, pasi nuk kishin çadra. Nuk e dinim nëse ishin vizitorë si ne apo banorë të ishullit. Por rrotull tyre s’kishte asnjë mjet lundrues, as në mol. Giithsesi pyetja dhe në këtë rast është: Për çfarë u hap tani Sazani kur aty s’kishte asnjë lehtësi për t’i pritur turistët? Çfarë bëri gati shteti për të pritur udhëtarët e parë? A nuk do ishte mirë që turistët atje t’i presë një guide, t’i drejtojë për në zonat e ndryshme, t’u tregojë historinë, vlerat dhe gjithcka tjetër?  A nuk do ishte mirë që të kishte një mjedis çlodhës ku udhëtarët të merrnin frymë të pinin dicka?. Sazani është ndryshe nga Karaburuni, pasi aty ndërtesat ekzistojnë. Mjaft që njera prej tyre të kthehej në një muze ose mjedis prites për turistët do ishte ideale. Turistët nuk mund të zbresin e të rrinë në diell e të hipin prapë në anije.  Dakord, është e mrekullueshme që tani janë të gjithë të lirë t’i shohin këto bukuri dhe kjo është arritje, por nuk mjafton. Mbi të gjitha publiku meriton të dijë çfarë do bëhet me këto pasuri? Si do menaxhohen? Kush do jetë përfituesi? Shpresojmë që në këto zona të paprekura të mos bëhet kasaphana që kemi parë deri tani në bregdetin e Durrësit, Vlorës e Sarandës.

Si mund te shkosh në Karaburun e Sazan?

Plazh ne Karaburun

Më lehtë është të shkosh nga Vlora. Anija Rexhina ofron një çmim të arsyeshëm, 1600 lekë personi, për fëmijët poshtë 6 vjec falas, për fëmijët 6-10 vjec bileta kushton 600 leke. Turi zgjat nga 9.30-17.00 dhe itenerari përfshin: udhëtim përgjatë Karaburunit, ndalim në plazhin e Shën Vasilit, vazhdim i turit për në Sazan, udhetim në Shpellën e Haxhi Aliut, në majë të gadishullit, dhe më pas rikthim në plazhin e Shën Vasilit për dy tre orë plazh dhe për të drekuar. Në 16.30-17.00 bëhet kthimi sërish në hotel Rexhina, Radhime. Fare afër niset dhe anija ‘Black Pearl’ ku cmimi gjithashtu është i arsyeshëm 1500 leke personi, dhe itenerari është i njëjtë me përjashtim të ndalesës për të bërë plazh e për të drekuar.  Mire do ishte nëse qytetarët shfrytëzojnë këto mjete pak me te lira, pasi dhe motorskafet ofrojne çmime shumë të kripura. Dëgjuam që një motorskaf me qera për një udhëtim të tillë kushtonte 70 euro, çmim shumë i shtrenjtë për shqiptarët por dhe për të huajt. (fotot: E.K)

Plazh ne Karaburun

Makinat ne Karaburun

Shen Vasil Karaburun

0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *