Sot është Dita e Europës e cila festohet në gjithë vendet anëtare dhe nga ato kandidate. Po shqiptarët a duhet të festojnë? Shqiptarët janë ndër popujt e pakët në kontinent që ende mbështesin fuqimisht projektin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Vendet e tjera si Maqedonia apo Serbia kanë një entuziazëm shumë më të ulët për anëtarësimin ne BE, përkatësisht me 24% dhe 27%. E megjithatë edhe pse shumica e shqiptarëve mezi presin që Shqipëria të anëtarësohet në BE, ata janë gjithashtu ndër njerëzit që duan të ikin nga ky vend, me numrin më të madh të të larguarve në Europë e në botë.
Si duhen kuptuar këto trende? Kjo do të thotë se shqiptarët kanë një padurim për të hyrë në Europë, duke menduar se vetëm kështu do marrë fund korrupsioni, do rivendoset meritokracia, do kemi forcën e ligjit, do kemi siguri ushqimore, mjedis më të pastër etj etj.
Por nga ana tjetër, e sotshmja i vret. E sotshmja nuk është aspak premtuese. Dhe kjo ka shuar shpresat se Shqipëria do të ndryshojë së afërmi. Kjo për shkak të klasës politike që për më shumë se 20 vjet vazhdon të mbetet e njejta duke ndërruar rolet, por duke ofruar të njëjtin sistem të korruptuar dhe aspak të bazuar në meritokraci. Administrata ndërrohet çdo 4 vjecar madje dhe më shpesh. Emërimet katapultohen nga politika, pa konkurse transparente. Njerëzit nuk kanë shpresë se mund të arrijnë të bëjnë karrierë, por vetëm të mjaftohen me pozicionet më të ulëta, për të cilat nuk janë të interesuar rrethi i njerëzve të politikës. Një emision së fundi në TCH tregonte se shumica e të rinjve me master dhe më gjuhë të huaja, variantin e vetëm për t’u punësuar kanë Call Center. Ndërsa pjesa e njerëzve me shkollë të mesme, janë të vetëpunësuar, ose punojnë në ato sektorë të pakët fitimprurës, duke nisur nga ndertimi, industria ushqimore, etj. Ndërsa njerëzit me arsim më të ulët punojnë në industrinë fason, dhe një pjesë e madhe vazhdon të punojë në bujqësi.
Personalisht mendoj se mungesa e meritokracisë është arsyeja kryesore pse largohen shqiptarët. Kjo është dhe hallka me të cilën përballemi edhe ne që kemi zgjedhur të qëndrojmë në atdhe. Këtu ka garë për mësuesit në dispozicion apo mësuesit e fshatrave, por drejtorët e shkollave katapultohen nga lart, të gjithë militantë. Po kështu drejtuesit e gjithë institucioneve të tjera zgjidhen nga politika, kur kandidati s’ka as ndonje lidhje me atë institucion, as pasion e as ide. Gara zhvillohet shpesh për pozicionet më poshtë, por dhe për ato duhet të njohësh drejtorin…. dhe indirekt partinë.
Fjala vjen përse një kryeministër duhet të zgjedhë drejtorët e teatrove? Përse ata duhet të jenë militantë? Përse vetë bordet e artistëve të mos zgjedhin më të mirin mes tyre, atë që gjithashtu paraqet ndonjë ide apo plan për zhvillimin afatgjatë të këtyre institucioneve? Kryeministri i pari duhet t’i hapë vend garës kudo, në vende punë, në poste drejtuese, në tendera, në projekte… Së pari duke mos emëruar drejtuesit e doganave, institucioneve të rëndësishme, por t’ia lërë vendin konkurimeve, ku të fitojë më i miri, dhe pse nuk ka lidhje me partinë në pushtet.
Edhe në financat e donatorëve, vendin e parë në rresht e zënë njerëzit e lidhur me politikën. Vrasja e garës ka zhgënjyer si njerezit e thjeshtë ashtu dhe bizneset dhe organizatat civile.
Shqiptarët thjesht ende besojnë se hyrja në BE do i rregullojë këto probleme, ndaj e duan anëtarësimin. Shpesh shpresën e varin te një deklaratë e ambasadorëve të huaj këtu… Ka një perceptim se të huajt na duan më shumë sesa e duam veten. Edhe në NATO na pranuan jo prej meritave tona, por për shkak të interesave strategjikë të kësaj aleance në Ballkan. Së shpejti shpresojmë të hapen negociatat për Shqipërinë dhe ky vit të jetë i mbarë në drejtim të anëtarësimit në BE. Ndoshta ky duhet të jetë një moment festimi, edhe pse ende kemi një rrugë të gjatë… Shkurtimi i kësaj rruge varet nga ne vetë, nga politikat tona qeverisëse, dhe jo nga BE.
Gëzuar Ditën e Europës për ata që ende besojnë shumë te ky projekt!