Një event jashtëzakonisht dinjitoz është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku u vlerësua sipërmarrja shqiptare. Një ngjarje që tregoi një qasje të re ndaj njerëzve të padukshëm, që kanë mbajtur dhe mbajnë në këmbë ekonominë e këtij vendi. E përforcuar dhe në një fjalim nga kryeminstri Rama, e verteta është se asnjëherë faqet e gazetave, revistave nuk janë mbushur, me histori suksesi të biznesmeneve që prodhojnë, eksportojnë, që hapin kantiere pune, që punojnë pa pushim për të ofruar standard e cilësi, që kanë sjellë inovacion e shpikje shkencore por që askush nuk i evidenton. Mediat tona vazhdojnë të mbushen me shembuj politikanësh të suksesshëm, me nëpunës administrate, drejtora e kryekomunarë që krejt papritur dalin milionerë dhe pasi janë promovuar dhe ‘falur’ nga media për mënyrën si u bënë të biznesmene, edhe publiku mendon se atyre gjithçka u takon. Ky është shembulli që jepet dhe atë synon të ndjekë edhe rinia: Të punojë në shtet e të bëhet milioner. Ose modeli tjetër i njerëzve të lidhur me politikën, që pa punuar asnjë ditë në biznes, si ‘fenomeni Cili’ apo ‘analistë të paguar’ krejt papritur shihen si biznesmenet më të suksesshëm të këtij vendi dhe media i lançon si modele që duhen ndjekur.
Por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Të paktën në eventin e djeshëm, të branduar me nje emër krejt shqiptar ‘bleta punëtore’ doli në pah se njerëzit e vertetë të suksesshëm janë sipërmarrësit, ata që e kanë nisur gjithcka nga zero, që kanë besuar çmendurisht në punën e tyre dhe kur ka qenë e pamundur dhe rruget te bllokuara; që janë rritur, kanë marrë parasysh rrezikun, kanë paguar gjobat ndër vite te qeveritarëve, kanë mbështetur pa dëshirë fushatat elektorale për të qëndruar në këmbë, kanë paguar hallkatjet burokratike dhe taksat e shtuara të administratave të paafta, dhe prapë janë në këmbë, prapë janë taksapaguesit e mëdhenj, që vazhdojnë të zgjerohen, investojnë, punësojnë njerëz, eksportojnë dhe planifikojnë në të ardhmen dyfishim e trefishim të asaj që bëjnë. Janë ata që punojnë si bletët, pa patur nevojë që dikush të vlerësojë ‘mjaltin e tyre’. Shumë prej nesh që ishim të pranishëm në sallë nuk i kishim dëgjuar asnjëherë ato emra biznesesh, nuk e kishim parë çfarë prodhimtarie e larmishmërie produktesh dalin me markën “Made in Albania”.
‘Bleta e artë’ në mbrëmjen gala të zhvilluar një ditë më parë në teatrin e Operas dhe Baletit, vlerësoi me të mirët në industrinë fasone, në sigurinë ushqimore, në kulinari, në sigurinë në punë, në promocion, në vulën e cilësisë, në hoteleri, vlerësoi gruan më të sukseshshme, inovacionin me të suksesshëm, e shume te tjera. Nuk ishin vlerësim monetar, ishte një vlerësim simbolik, një trofe që e bën të dalluarin shembull për të tjerët.
Nese qasja positive e qeverisë ndaj biznesit është një dritë shprese, media për fat të keq vazhdon indiferencën. Sot në media, nuk sheh listën e fituesve, nuk sheh ndonjë interviste me fituesit, por ironikisht si lajm dhe si emër evidentohet vetëm drejtoresha e tatimeve, që mori çmimin e ‘shërbëtorit më të mirë të shtetit për 2014’. Ky emër i interesoi mediave, dhe fakti nëse ia dha dorën në fund kryeministri asaj apo jo. E trishtueshme… Gjithsesi biznesi sot i është kthyer punës, e do jetë duke punuar gjithë kohës pa pushim, pa humbur kohë për famën publike. Do prodhojë, investojë, punësojë dhe gjenerojë para për të zhvilluar këtë vend, për të krijuar mirëqenie e për t’u lënë brezave një Shqipëri më të mirë…