Zgjodha një profesion të vështirë. E megjithatë e sfidova veten. Që i ri më pëlqente të fluturoja. Kisha ambicie, kurajo. Nuk isha si shume të rinj që sot rrinë bareve e lokaleve, dhe harxhojnë paratë e të prindërve. Vendosa të bëhesha pilot, një zanat që shumë njerez nuk do merrnin guximin ta ushtronin. Pa mbaruar shkollën u angazhova te forcat ajrore. I etur për të marrë maksimumin e atij profesioni, duke menduar se karriera shkon paralel me pasurinë dhe mirëqenien, u specializova gjithnjë e më shumë për të arritur në majë të këtij profesioni. U gradova, arrita të shkelqeja, arrita në majë të profesionit tim, duke u bërë së fundi dhe instruktor i të rinjve për t’ua mësuar bukur atë profesion. Por cili ishte kulmi i karrieres time? Cila ishte maja? Një rrogë qesharake që nuk dilte as për të mbajtur familjen me bukë. 18 vjet profesionist, 18 vite pune të palodhur, duke fluturuar në qiell ku ishin emergjencat, dhe si përfundim nuk munda dot kurrë të blija një shtëpi, nuk mundja dot të siguroja të ardhura për tre fëmijët e mi. Dhe vendosa të bëj një hap ndryshe. Një hap të gabuar. Dakord. Mund të isha anëtarësuar dhe në ndonjë parti, do ishte më e lehtë. Por zgjodha një rrugë të shkurtër për t’i dhënë fund këtyre halleve. E pashë se me ndershmëri do vdisja pa strehë, e fëmijët e mi nuk do kishin te ardhme. Por tani që e pësova, nuk ia sugjeroj askujt. Se ju e patë c’më ndodhi. Kjo punë të ha kokën. Nëse doni të jetoni, asnjëherë mos u tundoni të bëni zgjidhjen e shkurtër si unë.
Por meqë tani i mbylla hallet, një mesazh kam për të gjithë ata burra e gra në parlament që sapo kapën emrin tim, nisën ta përdornin si shkop për të rrahur njëri- tjetrin. Ju drejtohem juve politikbërësve që çuditërisht jeni dhe më të pasurit e këtij vendi. Nuk duhet të ishit, sepse rrogëtar jeni dhe ju. Ju që padiskutim paratë tuaja nuk i keni bërë me punë të ndershme se unë e provova 18 vjet dhe s’bëra hajër. Jeni ju që po shijoni paratë e drogës së Lazaratit dhe të paligjshmërive të tjera që kanë lulëzuar këto 20 vite në Shqipëri.
A e keni menduar ndonjëherë se cfarë mund të bëjë një kryefamiljar me një rrogë shteti? A keni menduar se sado profesionist të jesh në këtë vend, po nuk bëre një paligjshmëri si puna juaj mund të vdesësh i varfër? Unë dija të fluturoja e vdiqa në ajër, por të tjerët si unë po vdesin atje në tokë nga depresioni e pamundësia. Unë gabova. Punova me nder e vdiqa si trafikant. Dakord e meritoj. Ndërsa ju, ju që më gjetët mua, trafikantit për t’i hedhur gjithë baltën tuaj, ju do vdisni të pasur, të nderuar e te respektuar për gjithë bëmat e mëdha politike që keni kryer për këtë popull. C’ti bësh. Ky është fati…. Zoti ju ruajt të gjithëve….
Ps. Ky shkrim eshte per gjithe ata qe pamundësia në këtë vend i shtyn drejt paligjshmerise