Pse Serbia besohet me lehte?

Duhej një ngjarje si ndeshja Serbi-Shqipëri në Beograd që shqiptarët të ngrinin një pyetje: Përse kur e vërteta është kaq e dukshme, Serbia besohet më lehtë ndërkombëtarisht? Përse shumë institucione europiane e personalitete në BE dhe në botë mbajnë anën e Serbisë?
Por, kaq e dukshme ishte dhe masakra e Reçakut dhe gjithë krimet e serbëve në kohën e luftës si në Bosnjë e Kosovë dy dekada më parë. E, megjithatë, bota i harroi shpejt dhe Serbia sot konsiderohet si një shtet që po përparon në rrugën europiane me shpejtësi, pa qenë nevoja të kërkojë falje për asgjë.
Përgjigjja e gjithë këtyre pyetjeve është e thjeshtë. Serbia ka një makineri diplomatike të jashtëzakonshme, një lobim të fuqishëm që ne shqiptarët as e kemi dhe kushedi se kur do të jemi në gjendje ta krijojmë. Serbia di të lobojë, di të futet në gjithë institucionet ndërkombëtare dhe madje të ketë pozicione drejtuese.
Që pas luftës me Kosovën, për të rregulluar imazhin e vet të dëmtuar, politika e jashtme serbe ka shpërndarë një lumë diplomatësh në organizatat shumëpalëshe, të mirëpërgatitur, me gjuhë të huaja, të cilët, prej vitesh, nuk ndërrohen dhe kanë krijuar rrjetet e tyre të ndikimit kudo. Ndërsa diplomacia jonë ka qenë prej vitesh si një oaz për të strehuar miqtë e politikanëve të radhës, që ndërroheshin aq shpesh, sa askush s’i mbante mend, e jo më të ngrinin zërin e tyre në institucionet europiane.
Po jap një shembull ku unë kam qenë vetë dëshmitare. Në Këshillin e Europës, aty ku diskutohen çdo ditë të drejtat e njeriut, Serbia ka arritur të zërë një vend të jashtëzakonshëm. Jo më kot, Serbia lufton që të ketë prezencë të madhe në këtë këshill, për të mbuluar krimet kundër të drejtave të njeriut që ajo vetë ka kryer vite më parë. Aktualisht, në KiE ka një numër shumë të madh zyrtarësh serbë që punojnë me kohë të plotë, madje një miku im atje thoshte se thuajse në çdo zyrë e gjen një serb. Asistentja e sekretarit të përgjithshëm Jagland është serbe. Në çdo komitet e nënkomitet, kryetarë apo nënkryetarë janë serbët. Në komitetin e medias, ku dhe unë kam pasur fatin të merrja pjesë në kohën kur punoja në MPJ, që herën e parë kur u ndodha aty, kur s’njihja asnjeri dhe s’dija çfarë ishte diskutuar më parë (pasi askush nuk më la një dosje të të gjithë dokumenteve që do të diskutoheshin apo ishin diskutuar), po votohej për krerët e komitetit (Steering Committee on Media and Information Society of the Council of Europe). Më dhanë përpara vetëm një alternativë për zgjedhjen e nënkryetares që ishte Maja Rakoviç. Pa diskutim ishte një vajzë e zgjuar, dhe shumë popullore, pasi ishte anëtare e këtij komiteti që nga viti 2008. Propozimi ishte bërë nga Rusia dhe mbështetur nga shumë shtete të tjera sllave dhe askush nuk e diskutonte më. Dhe pa diskutim, Maja u zgjodh. Dhe unë votova për të. Ajo vazhdon të kryesojë dhe të përfaqësojë në çdo takim tjetër ndërkombëtar Komitetin e Mediave të KiE. Nuk mungon edhe pse aktualisht mban një tjetër post, atë të këshilltares së parë në ambasadën serbe në Paris. (Nuk doja ta personalizoja, por si rasti i Majës mund të ketë shumë).
Po Shqipëria si përfaqësohet? Në mënyrë të turpshme. Shqipëria i kishte ndërruar shumë shpesh përfaqësuesit e saj dhe askush nuk kishte arritur të zgjidhej qoftë dhe në ndonjë nënkomitet ku diskutoheshin rekomandime të rëndësishme të KiE. Unë pata mundësinë të shkoja në 4 takime të tilla. Më pas, me sa shoh në faqen e këtij komiteti të KiE-s, nuk ka shkuar askush. (http://www.coe.int/t/dghl/standardsetting/media/CDMSI/default_en.asp)
Kjo është në miniaturë ajo çka unë përjetova kur isha pjesë e diplomacisë sonë, një pozitë inferioriteti dhe krejt të papërgatitur krahasuar me fuqinë e diplomacisë serbe. Si mund të bëjmë zërin tonë të dëgjohet, kur s’jemi gjëkund të përfaqësuar? Më thoni një shqiptar që mund të ketë arritur poste të tilla të larta në organizmat ndërkombëtare (siç ishte dhe Vuk Jeremiç deri ca kohë më parë president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së).
Kështu që fajin duhet ta kërkojmë në fund të fundit te politika jonë e deritanishme, te diplomacia jonë inferiore dhe e paaftë e deritanishme, te mungesa e lidhjeve dhe lobit të fuqishëm, që do të hynin në lojë në momente të vështira si tani, kur Shqipëria nuk mund të mbrohet vetëm
0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mungesa e garës

Democracy not functioning… Kapitalizmi vetvetiu nxit një garë, ku të aftët përparojnë, shkollohen, bëjnë karrierë, pasurohen, ndërsa të…