Mbi zgjedhjet 2017..

Si njeri i prirur t’i shoh gjerat pozitivisht dhe si individ me memorie normale në zhvillimet politike në vend, mendoj se kjo fushatë elektorale ishte një hap i madh drejt demokracisë që ëndërrojmë. Të paktën në Tiranë fushata nuk është ndjerë fare. Pa flamuj partish, pa makina të mbështjella me logo elektorale dhe njerëz që ulërasin, pa postera kandidatësh që dikur të vrisnin sytë. Kam parë zyra elektorale te partive rivale, të ngritura ngjitur e ngjitur, por krejt ne paqe me njera-tjetrën. 

I vetmi helm në këtë fushatë kanë qenë portalet e varura politikisht, analistët dhe televizionet e paguara pro njerës apo tjetrës parti.

Uroj që qytetarët të kenë parë sa më pak lajme e portale këto ditë. Ata s’kanë nevojë për mendje dhe për tru-shplarje, nuk kanë nevojë për sondazhe manipulative, të stisura dhe as për ‘fake news’.

Po ta kujtoni ka ndodhur shumë shpesh që analistët dhe mediat kanë dalë disa herë bllof para zgjedhjeve të zhvilluara më parë. Tjetër gjë kanë mbrojtur e sugjeruar ata, dhe tjetër gjë ka zgjedhur populli.

Qytetarët janë në gjendje të gjykojnë se cila parti mund t’ju sjellë zhvillim e mirëqënie. Ata kanë qenë këtu, kanë jetuar këtu, dhe nuk mund të harrojnë çfarë ka ndodhur. Ata janë në gjendje të njohin dhe psikologjisin mirë politikanët që u kërkojnë votën, pasi thuajse gjithë liderët e partive që kemi janë të njohur dhe të provuar në detyra të ndryshme. Qytetarët janë në gjendje të kuptojnë kush ka bërë diçka që është ndjerë direkt në familjet dhe në zonën ku ata jetojnë. Janë në gjendje të krahasojnë si ishte Shqipëria dhe si është, dhe çfarë duhet bërë më mirë.

I vetmi problem është se votuesi ynë duhet të arrijë të vrasë frikën për të sotshmen dhe të mendojë për të ardhmen. Një vend pune, një thes miell, një veshje, apo një sasi parash nuk e zgjidh të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Një shpërblim i marrë sot në dorë për një votë, nuk rregullon asgjë për nesër. Çdo njeri duhet të mendojë se ai është sovrani, se me votën e tij ka në dorë të sjellë një ndryshim, për ta parë Shqipërinë aq të zhvilluar sa vendet përreth, për të patur siguri ushqimore, shëndetësore, arsim më të mirë, më shumë investime, turizëm, më shumë mirëqenie etj.

Thjesht slogani i këtyre zgjedhjeve duhet të ishte: Mos u gënjeni, mos e shisni votën dhe mos u trembni. Askush nuk jua ka jetën në dorë veç Zotit. Askush nuk jua ka vendin e punës në dorë, veç aftësisë dhe meritës tuaj. Nëse nuk besoni te vetja askush s’mund t’ju ndihmojë, aq më pak partitë politike. Ju jeni sovrani, ata shërbëtorët. Nëse arrini të pranoni e kuptoni këtë, do të dini kë të ndëshkoni dhe kë të zgjidhni për t’ju shërbyer në 4 vitet e ardhshme. 
0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like