Fshati i mrekullueshëm Peshtan, qe s’e ka parë kurrë dorën e shtetit

Fshati “Peshtan” ndodhet në një zonë të mrekullueshme natyrore, në të dalë të Beratit. Nje parajse e gjelbër nga maja e të cilit mund të shohësh si në pëllëmbë të dorës qytetin e Beratit, dhe dhjetra fshatra të tjerë të zonës.
Teksa ngjitesh nuk te shqitet nga syri Mali i Tomorrit, ashtu madheshtor, si nje trup i bardhë, i rrethuar nga kodra te buta te gjelberuara, te mbjella me rregull e kujdes, qe i rrine ngjitur si nje fustan i gjatë i mrekullueshem. Ndryshe mund ta pershkruaj kete bukuri me nje shprehje te vajzes time te vogel, e cila e vizitoi per here te pare, dhe më tha: per te pikturuar kete fshat mami, nuk te duhet ngjyre tjeter, veç jeshiles.
 
Njerezit e butë te kesaj zone te mahnisin me durimin dhe punën e tyre të palodhur për t”u krijuar mireqenie familjeve dhe fëmijëve të tyre. Shtëpitë janë rindërtuar thuajse të gjitha dykatëshe e më shumë, dhe kjo falë punës në emigracion, pasi sado të mbjellësh tokën, të korrësh e të shesësh, kurrë nuk mund të krijosh aq shumë të ardhura sa të modernizosh shtëpitë.

Gjithsesi dhe pse djemtë e fshatit shkojnë e vijnë në emigracion, tokat nuk i lënë kurrë pa punuar. Gjithandej të mbjella me perime, lloj lloj pemësh frutore, vreshta rrushi dhe brezare me ullinj etj. Të gjithë kanë mjaftueshëm bagëti për familjet e tyre. Bukën e sigurojnë vetë dhe ushqimet i kanë të gjitha nga ferma në tryezë. 

E vetmja gjë që u mungon është dora e shtetit. Rruga për në këtë fshat ishte si 30 vite më parë, kur isha fëmijë dhe e kisha shkelur për herë të fundit këtë zonë. E pashtruar, me gropa të mëdha, aq sa vetëm makinat e larta mund ta përballojnë. Por këta njerëz heshtin, edhe pse u duhet të lëvizin rregullisht në qytet për dhjetra e dhjetra nevoja jetësore, duke filluar nga dentisti e deri te mësuesit, të cilët duhet te vijnë përdite nga Berati.
Kjo rrugë është jetësore për ta. E përseri nuk ndihen. Kanë votuar rregullisht për 25 vite, e shohin se askush nuk vë dorë, dhe prapë qëndrojnë të heshtur.
Pyes veten, kaq shumë qeveri të ndërruara, çfarë dreqin premtojnë ende në këtë zonë? Si ua marrin votat ketyre njerezve? Me thonë se votojmë rregullisht, dhe e vetmja gjë që kërkojmë është: rrugën dhe vetëm rrugën- por asgjë nuk marrim në këmbim. Tashmë kjo zonë ka kaluar nën bashkinë e Poliçanit, aty ku kryetar Bashkie, është kryebashkiaku më jetëgjatë i gjithë historisë shqiptare të dekadave të fundit, Adriatik Zotkaj.

Edhe pse e vizitoj kaq rrallë këtë zonë, dhe nuk jam banore e këtij fshati, pyetja ime është është vetëm për këtë kryebashkiak. A e cilësoni Peshtanin si një fshat në territorin e Bashkisë tuaj. A keni ndonjë plan për të shtruar ndonjëherë rrugën në këtë zonë? A e dini se ky fshat malor për nga bukuritë e tij me gjithë rrethinat, mund të ishte sot aq i frekuentuar nga turistet sa Voskopoja e Korçës? A e dini se fshatrat e Zvicrës nuk kanë asgjë më të bukur se ky fshat përvec dorës së shtetit, që në këtë rast është dora juaj? Pra a do vini dorë në këtë fshat ?
Jo për ata të moshuar ende te palodhur, që zbresin me kuaj e gomerë si dikur, dhe kjo gjendje u duket normale, por te pakten për fëmijët e këtij fshati, për të ardhmen e tyre? Rruga nuk është më luks, por nevojë, domosdoshmëri. Bukën e sigurojnë vetë, pak gjë duan nga ju. Jepini nje te ardhme ketij fshati, nese e quani veten të zgjedhurit këtij populli!!!

0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like
Read More

Sharmi i jetës rurale

Modeli i jetës rurale – e ardhmja në Shqipëri është fshati. I pandotur, i pazhvilluar, i pazaptuar nga…