Maskarada e të pafytyrëve

Ne shqiptarët kemi një cilësi shumë negative. Ngaqë gjërat këtu funksionojnë ende me miq, me fis e farë, mosmirënjohja është tipari më i dukshëm dhe më i neveritshëm që hasim gjithandej dhe çdo ditë të jetës tonë.

Ti sot je në një post, dhe njerëzit zënë radhën të flasin me ty. Të njohur e të panjohur që bëjnë sikur të kanë patur mik apo mikeshë prej vitesh, vijnë dhe të bëjnë lajka dhe komplimente. Sigurisht pas këtyre fshihet një kërkesë, ankesë, një ndërhyrje, një favor e të tjera si këto. Ti bën aq sa mundesh, sigurisht nuk mund t’ua plotësosh kërkesat. Maksimumi mund t’u japësh informacion si të veprojnë për hallin që kanë. Shumë prej tyre mendojnë se mjafton të jesh diku drejtor, këshilltar, apo në një post tjetër afër titullarëve, mund të bësh shumë më tepër. Madje mendojnë se ti për vete bën miliona. Dhe ky është perceptim që nuk shkulet kollaj tek shqiptarët. Kur të shohin në të njëjtën lagje, në të njëjtën shtëpi, me të njëjtën veshje apo teksa e pi kafen në të njëjtin bar, thonë se nuk je i zoti, je një budalla që nuk di të përfitosh nga posti. Ose mendojnë se milionat i ke fshehur diku për të mos rënë në sy, dhe do ti nxjerrësh kur të largohesh nga detyra.

Dhe ti zbret nga ai post, dhe je po ai njeri. Por për ata je askushi. Kalojnë në rrugë dhe bëjnë sikur s’të shohin. Madje shpesh të mëshirojnë. Thonë me vete: mirë ia bënë që e hoqën, se s’me ndihmoi. Edhe pse ti mund te kesh ikur vetë nga ajo punë, këtë s’ta beson kush. Ata mendojnë se për një post për të cilin të tjerët paguajnë miliona, nuk mund të ikësh vetë. Ndërkohë nuk janë aspak të interesuar për punën që je duke bërë këtë periudhë. Përsa kohë je pa post, je një hiç.

Kalon koha, dhe ti ngjitesh prapë në një post tjetër, dhe të njëjtët njerëz rishfaqen duke rifilluar sërish të kenë respekt të madh për ty. Madje thonë se s’të kanë parë prej kohësh që kur ke patur postin e parë.  Nëse jua kujton që jeni parë diku, me vrap justifikohen duke thënë se nuk ju kanë parë, se ndryshe do ju kishin ftuar për kafe njësoj si tani që kanë nevojë.

Kjo lloj maskarade vazhdon me shumë shqiptarë, për sa kohë që gjithçka këtu funksionon sipas parimit: E njeh filanin? Se kam një hall. Se këtu shpesh hallet i zgjidhin filanët e fuqishëm, dhe jo institucionet.

Në fakt thonë se posti e ndryshon njeriun, madje thonë: jepi dikujt një post, të shihni se sa ndryshe do sillet. Por kjo nuk është gjithnjë e vërtetë. Për ata persona që kanë dinjitet, një zanat dhe herë pas herë provojne poste dhe kthehen përsëri në profesion, asgjë nuk ndryshon në karakterin e tyre. Të ndryshueshmit janë vetëm përballë tyre. Dhe nuk u ngelet gjë tjetër veçse të tallen me këto karaktere, që ndërrojnë kaq shpesh lëkurë, dhe janë kaq të pacipë kur e bëjnë këtë.

Pa u forcuar shteti, pa u vendosur sistemi i meritokracisë në administratë e kudo, kjo sërë mjeranësh do të vazhdojë të sillet në të njëjtën mënyrë.
0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like
Read More

Pëllumbi i varur..

Ka disa ditë që shoh nje pamje horror përballë pallatit tim. Nje pëllumb i varur.  Ndoshta duke kërkuar ushqim…