….
Ferri sapo kishte hapur portën për familjen tonë. Me një vdekje në shtepi, tani ishim të tmerruar. Edhe ne kishim simptoma, perveç vajzës adoleshente. Personalisht temperatura nuk më zbriste gjithë ditën, fillimisht 37.7 por pastaj 38.5. Shkova te ambulanca e lagjes, me dhanë takipirinë, azitromicinë për 3 ditë dhe ditën e 5-të më dhanë një rekomandim për grafi te dispanseria (se për grafi duhet të kenë kaluar 5 dite nga simptoma e parë). Ditën që bëmë grafinë me tim shoq, rezultoi se mushkritë e mia ishin prekur, te tijat jo. Dr Silva e Dispanserisë na dha disa analiza për të berë dhe disa ilaçe që duhet t’i fillonim, si dhe shurup për kollën.
Meraku s’më la të flija atë natë, dhe të nesërmen herët u nisa për të bërë skaner te spitali ‘Nene Tereza’. Skaneri vërtetoi frikën time, – mushkritë tashmë ishin prekur nga COVID19. Doktori që më bëri skanerin me sugjeroi zgjidhje të shpejtë private, dr Mustafain dhe kliniken Ikeda, që janë ngjitur me spitalin, sepse me shtetin funksionon vetëm nëse thërret 127-ën. Unë nuk kisha ndërmend të prisja asnjë sekondë 127-ën, në radhën selektive masive popullore. Shkoj dhe doktori te klinika Ikeda (shyqyr që ka klinika private, privati është shpëtimi për atë që e ka me ngut); më sheh skanerin, më thotë që do besh ca analiza; m’i bëjnë aty në çast, dhe kthehem në shtëpi. Pasdite, del rezultati i analizave, doktori më nis me foto në WhatsApp kurën intra-venoze. Më thotë se gjendja është serioze, nëse s’gjen infermier të vijë në shtepi, do vish ta bësh këtu kurën. Gjeta infermier, një djalë i rrallë, i guximshëm dhe i papërtuar, që vetë e kishte kaluar COVID dhe punon çdo dite te infektivi. Dhe pasi mora ilaçet, kura filloi në mbrëmje, brenda ditës që bëra vizitën dhe skanerin. Trajtimi filloi fatmirësisht në kohë dhe në shtëpi. Me shtetin, me 127, nuk e ke kurrë këtë luks që të nisësh kurën brenda ditës që t’i merr vesh se të janë prekur mushkritë. Ndërsa unë merrja veten, im shoq përkeqësohej çdo ditë, pavarësisht se grafia i kishte dale shumë mirë ca ditë më parë. Ai bën skanerin, rezulton i prekur njësoj në mushkri, pas disa dite temperaturë 39, dhe nis kurën 4 ditë pas meje, në gjendje më të rënduar, por doktorin e kishim, morëm kurën, infermierin po. Fati dhe njerëzit nuk na braktisën. U lidha me një farmaciste që gjithë recetat e ilaçeve që më dërgonte doktori ia nisja me WhatsApp dhe ajo m’i sillte te hyrja e pallatit. Vajza ime, e vetmja me shëndet të plotë, zbriste e ngjiste shkallët për çdo porosi që na vinte. Ushqimet vinin nga prindërit e motrat dhe vellai. Çdo gjë nga njerëzit e mi të dashur.
Sigurisht, të kurohesh në shtëpi, kushton. Mua më shkoi rreth 80 000 leke, bashkë me burrin 1.6 mln të vjetra. Por paratë para shëndetit nuk llogariten. Tmerri më i madh është stresi pa mjek te koka, si do e gdhish natën, çfarë do bësh me temperaturën, çfarë do bësh nëse të bie niveli i oksigjenit, po nëse kura në shtëpi të jep komplikacione, probleme në zemër e organe te tjera, efekte anësore, kush të monitoron shëndetin? Askush. Mjeku që na ndoqi, kuron dhjetra vetë në ditë. Por të përgjigjet vetëm nëse shkon atje, se në shtepi s’të ndjek dot, aq më pak netëve të vështira, se i binte të flinte tek ne. Infermieri e kishte shtëpinë në Kombinat, shkonte dhe në punë te infektivi me turne, vinte dy herë dita te ne. Na thoshte me humor jeni mirë në krahasim me çfarë shoh në spital. Ç’mund të bënte më shumë? Tmerri më i madh ishte si do gdhiheshim të nesërmen deri sa të vinte radha e serumit. A do kishim nevojë për oksigjen? Gjeta dhe një numër telefoni të dikujt që jepte aparate oksigjeni me qera. Çdo gjë privat. Por fatmirësisht, nuk m’u desh kurrë. Ambulancat te rruga M. Shyri kalonin me sirena, 5 a 6 në ditë. Kjo na trembte. Cili do ishte hapi tjetër? S’donim të përfundonim aty. Një njeri i shtëpisë na vdiq në spital.
Këto enigma, këtë stres, infermieri s’ta zgjidh dot, është tej kapacitetit të tij.
Shqiptarët gjithnjë kanë qenë në dorë të Zotit. Për mua shteti, edhe në këtë përjetim me pandeminë, është ai që ka qenë në gjithë këto dekada tranzicioni,- një fasadë jofunksionale në hallkat lidhëse të tij. Zinxhir i shkëputur nga të tëra anët. Jo në shërbim të çdo qytetari, dhe atij që s’mundet. Unë shpëtova se zgjodha privatin, pasi e pësuam me vjehrrën që ia besuam shtetit.