
I pyetur disa herë radhazi: “Pse tani zoti kryeministër, pse do i zgjidhni tani çështjet që na takojnë me ligj”? Përgjigja e tij ka qenë: E thjeshtë, sepse tani u çuat juve, tani protestuat, tani e kërkuat”.
Kjo filozofi është absurde dhe krejt në kundërshtim me shtetin e së drejtës dhe parimet e qeverisjes. Njerëzit nuk kanë kohë të ngrihen, të humbasin ditët e tyre të punës dhe të shkollës, për të kërkuar të drejtat e tyre, dhe gjithçka që u takon sepse këtë punë ia kanë dhënë me votë qeverisë së z Rama, meqë doli dhe e kërkoi, e madje luftoi për ta fituar këtë vend pune.

Sipas kësaj filozofie, ai që vjen i pari te dera e kryeministrisë, që shpesh rastis të bëjë oferta të pakërkuara, ai fiton diçka. Për të, bëhet dhe ligj i posaçëm, që ai ta marrë atë që kërkon me ligj. Kështu, meqe pronaret e universiteteve private trokiten më parë se studentet te dera e qeverisë, ata fituan dhe të drejtën për të bërë siç deshen reformën në arsim.
Sipas kësaj llogjike, nëse secila kategori nuk bërtet para zyrës kryeministrore, ligjet bëhen sikur ata nuk ekzistojnë. Aq e fiksuar është në këtë filozofi të gabuar kjo qeveri, sa ka ngritur një platformë për ta konfirmuar dhe vertetuar. ‘Shqipëria që Duam’, është platforma e bashkëqeverisjes, ku ndoshta 50% e popullit të varfër s’ka akses. Edhe kjo platformë është ndërtuar për njerëzit që të mundohen të vijnë te qeveria, dhe jo qeveria të shkojë me vendime dhe veprime te gjithë qytetarët. Këtu zgjidhjet janë selektive, duke i zgjidhur hallin vetëm atij që ankohet dhe nuk shtrihet zgjidhja e këtij problemi për gjithë rastet e ngjashme. Në fakt, funksionon për ata që ankohen. Provova të ndihmoja një të afërmin tim, ia sugjerova dhe mori përgjigje. Dhe jo vetëm kaq. E marrin shpesh në telefon për ta pyetur nëse është e kënaqur me zgjidhjen apo jo. Pra një pjesë e vogël e njerezve që ankohen marrin përgjigje deri në bezdi, ndërsa pjesa tjetër e popullatës, që është shumica, nuk ka shanc tua zgjidhë dikush hallin.
Dhe të mendosh që për votat, shkohet shtëpi më shtëpi e mal më mal. Ndërsa për t’u zgjidhur problemet që u premtohen në fushatë duke nisur nga ujë, rrugë, drita, spital, të drejtë në punësim etj, duhet të trokasin te dera e qeverisë dhe të bërtasin. Pra të lodhen dhe të bëjnë punën e gjithë administratës burokratike, e cila paguhet me taksat e qytetarëve. Detyra e qytetarit është të punojë atje në fshatin apo qytetin e tij, të sigurojë të ardhura për të mbajtur familjen e vet dhe të paguajë taksat që duhen për rrogat tuaja. Dhe ju si ua shpërbleni? U thoni: ejani ankohuni, bërtisni se mbase ju jap atë çfarë ju takon. Do mundohem, nëse dialogoni me mua.
Për fatin tuaj të mirë, PD dhe LSI janë plotësisht të papërshtatshem për të qeverisur vendin. Por për fatin tuaj të keq, studentët nuk ju veçojnë as juve si të mirë për të qeverisur. Pra populli, perjashto militantet, ju fut ne nje thes. Tani s’mund të negocioni dicka që e keni bërë gabim që në fillim, dhe kur s’keni asnjë filozofi tjetër alternative. Sepse aq dinit, aq bëtë. Tani qe u ngritën studentët, është shumë vonë për të treguar se jeni ndryshe. 5 vjet janë shumë. Askush nuk ka kaq kohë për të pritur që ju të kuptoni se detyra e një qeverie dhe një kryeministri është t’i shërbejë cdo qytetari të këtij vendi, nga jugu në veri, pa qene nevoja te ankohen te dera apo portali juaj.