Pa parti!


Pyetja më e sikletshme që bëhet rregullisht në këtë vend është: “Me ke parti je? Dhe kur përgjigjesh: “Me asnje”- s’të beson njeri. Padiskutim do të lidhin me njerën prej tyre, për ndonjë arsye te afert apo të largët. Mund të kesh shërbyer në një vend pune, të drejtuar nga një drejtues partiak në një moment të caktuar, por kjo s’do të thotë se ke milituar. Të shërbesh dhe të militosh në një parti, janë dy gjera të ndryshme. Megjithatë kur je përballë kutisë së votimit, je i detyruar të bësh njëren prej zgjedhjeve partiake. Dhe kjo është qytetari, jo militantizëm.

Ndaj, me asnje parti nuk jam. Jam ne një pozicion stoik prej dy dekadash: mes asaj shtrese të mesme, mes intelektualeve dhe njerëzve punëtore, që presim të votojmë alternativën më të mirë që ofrohet për momentin. Jemi pjesë e asaj shtrese që nuk merr pjesë në mitingje e protesta. Është pjesa që bën punën me të madhe në këtë vend, që paguan për të pasurit dhe për të varfrit. Takaspagues të rregullt dhe votues të rregullt… Nuk kemi kohë të krijojmë parti, se jemi të zënë me punë. Sepse dikush do paguajë taksa për të mbajtur në këmbë këtë vend. Jemi pjese e shumicës, asaj që në fakt përcakton fitoren e njërës apo palës tjetër për të ardhur në pushtet. Media na quan elektorat gri, ose të paqëndrueshmit. Por jo! Ky elektorat është më i qëndrueshmi ne idealet e veta. Ju partiakët po, ju ndryshoni rregullisht, kur hipni në pushtet apo kur zbrisni në opozitë. Ndërsa ne jemi njësoj, jemi aty duke punuar e duruar, duke ju dhënë juve shancin të na shërbeni, edhe pse na gënjeni, e na gënjeni. Na quani si te doni, por jemi vendimtarë në votë. Dhe votën tonë s’e parashikoni dot, as ju as sondazhet. Kemi inteligjencë mjaftueshëm për të parë si po qeverisni. Formojmë opinionet tona pa u bazuar aspak në tuajat. Nuk dëgjojmë fare deklaratat tuaja partiake për një çështje të caktuar. Ose i dëgjojmë ato, vetëm për të parë sa guxoni të pranoni nga e verteta, ose sa larg shkoni për ta mbuluar.

Nuk jemi as të majtë e as të djathtë, edhe pse ndryshimi mes këtyre dy ideologjive në vendin tonë është i papërfillshem. Na quajtët të djathtë kur erdhi demokracia, u bëmë të majtë kur plasi 97-ta, u bëmë të djathtë në 2005 kur kryeministri ynë rrinte më shumë jashtë Shqipërisë kabareve, sesa brenda vendit. U bëmë serish të majtë, kur njeriu që erdhi me duar të pastra, i ndyu duart me vjedhje madje dhe me ‘viktima’. I bashkuam votat me militantët e majtë dhe bëmë 1 milionë shuplaka për të sjellë qeverisjen e re. Por kjo nuk do të thotë se ndryshuam parti. Ne ende jemi në pritje, për alternativën më të mirë të na udhëheqë. Nuk kërkojmë shumë, veç të mbani premtimet për të cilat ju sollëm në pushtet. E dimë që asgjë nuk behet me shkop magjik. Durojmë, vetëm në rast se shohim që po përpiqeni, që po bëni pak nga pak ato që premtuat. Por jo të bëni të kundërtën e atyre që premtuat. Kjo është e rëndë. Të thuash do ul taksat dhe t’i ngresh sapo te marresh pushtetin; te thuash do hap vende pune, dhe gjithandej vetem shkurton; te thuash biznesi do rilinde, por ne fakt po i ze frymen; te thuash spitalet do jene falas, por po nuk pagove vdes; të thuash se do kujdesesh për të varfrit, do rrisësh mireqënien, por njerëzit po marrin arratinë jashtë vendit; të thuash do luftoj korrupsionin, por gjithë Shqipëria po jepet me konçesion dhe tenderat që janë janë akte të pastra korrupsioni; etj etj – të gjitha këto janë të pafalshme. Kur të vijë radha për të votuar, do themi fjalën tonë. Nuk do bëhemi të djathtë, por do të ‘ndëshkojmë’ se na genjeve, qoftë edhe duke bojkotuar votimin. Në Europë ka ndodhur tashme, partitë tradicionale kanë humbur terren. Ndërkohë jemi ende krahëhapur për alternativa të reja që duan ta qeverisin më mirë në këtë vend, për atë alternativë që nuk hipën në pushtet për t’u pasuruar për vete, por të kuptojë se qytetarët paguajnë taksa, që ju t’i administroni dhe t’u shërbeni. Deri atëherë zoti e ndihmoftë këtë vend…

1 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like