Një ditë në Skrapar…

Berati padiskutim eshte nje nga qytetet më të bukura të Shqipërisë. Pranverë, verë, vjeshtë apo dimër, sheh turistë gjithandej. Një qytet të pastër, dhe i mirëorganizuar. Qyteti i mbrojtur UNESCO-s tashmë dhe me rrugën e rregulluar që të çon aty, i plotëson standardet e një qyteti turistik.

Rruga drejt Skraparit
Sapo nis të dalësh nga pjesa qendrore e Beratit, të zë dhimbja e kokës. Vetë periferia e qytetit është një rrugë gropa-gropa, gjithë pluhur, rrëmujë, njerëz që kalojnë mes për mes rrugës së makinave në cdo kohë. Nis e del nga qyteti, por të njejtën fytyre ka dhe zona periferike. Uznova e mbushur me ndërtime pa kriter dhe rruge te demtuar. Rruga më pas të krijon një farë lehtësimi. Të paktën mund të hapësh xhamat e dritareve të makinës për të hyrë ajri i kurorës së Tomorrit.
Megjithatë rruga me gropa nuk të lë të shijosh pejsazhin e bukur përreth. Ruga e plasaritur, e paprekur që nga koha e Enverit do të shoqërojë deri në Poliçan. Si ka mundësi që të jenë bërë kaq palë zgjedhje dhe kjo rrugë të mos jetë prekur? Pas 25 vitesh demokraci e ‘zhvillim’ rruga e kohës së Enverit është alternativa e vetme e udhëtimit për të shkuar drejt Shkraparit.
Gjithnjë kjo zonë ka votuar majtas, dhe të majtët tashmë janë në pushtet. Por kjo rrugë ende nuk është në planet e tyre.

Poliçani 

Sa hyn në Poliçan të bën përshtypje për mirë qendra e qytetit, e rregulluar, e pastër, e rilindur. Makinat nuk lejoheshin në zonen pedonale.
Zbret për një kafe, dhe sheh se ka shumë pak njerëz edhe pse ora 10-11 e paradites. Banorët thonë se askush nuk do të jetojë aty dhe pse ‘qyteti rilindi’. Papunësia është e madhe. Familjarët nisen jashtë shtetit, të rinjtë enderrojnë Tiranën. Pra një qytet thuajse i boshatisur. Do ishte mirë sikur qeverisja të investonte më parë për punësimin e qytetarëve dhe më pas zbukurimin e qytetit. Kështu duhej të ishte radha.

Guroret e Tomorrit
Duke ngritur këto pyetje për rrugën, të shfaqen anash pirgje me gure e mermer të sistemuara, në pritje për maunet e mëdha që t’i marrin. Kur bën pyetje ç’janë gjithë këto male me gurë, njerëzit me hezitim të përgjigjen se gërryhen nga Tomorri dhe malet përreth dhe shiten kryesisht në Greqi e Itali.
Është biznes i jashtëzakonshëm fitimet e të cilit i marrin ata, ‘të pushtetshmit’ në Tiranë. Janë bërë mjaft shkrime për shkatërrimin e malit të Tomorrit, gërryerjen e tij nga gurët pa kriter dhe pse është zonë dhe park i mbrojtur, e megjithatë askush nuk vepron. Puna me mermerin vazhdon, deri sa mali të nxhehet ndonjë ditë dhe të lëshojë vetë gurë mbi fusha e fshatra. Zoti i ndihmoftë ata që jetojnë rreth këtij mali…

Bogova
Më tej mbërrin në Bogovë, një pikë turistike e quajnë banorët, por që përvec natyrës që ka ruajtur disa elemente si ujin një rrjedh nga disa shkëmbinj malore të lartë, si dhe dy kafeneneve buzë kësaj ujvare të vogël, s’ka asgjë për ta quajtur turistike. Ne ishim të vetmit që ndaluam për një kafe në mesdite. Mund të investohej për t’u bërë pikërisht një destinacion i mrekullueshëm turistik. Por dhe këtu investimi mungonte.

Çorovoda

Largohemi nga Bogova, rruga vazhdon të jetë copë-copë poshte rrotave të makinës, por e mrekullueshme nga të dy anët. Gjithë ajo zonë është nje panorame e bukur, e pashfrytëzuar. Një pjesë e mirë rruge e shtruar se fundi të çon drejt qytetit të Çorovodës. Por qyteti eshte siç ka qenë para 20 vitesh. Të gjitha elementet e kohës së Enverit janë ruajtur. Nuk është kthyer ende në identitet, pasi siç thonë banorët, Rilindja ka plan që të prishë gjithë ndërtimet anësh lumit Osum që ai të dalë në pah dhe të jetë atraksioni kryesor i qytetit. Por banorët luten që kjo gjë të mos bëhet kurrë, pasi thuajse gjithë bizneset e qytetit, buka e tyre e përditshme është e lidhur me zonën anës lumit. Ndaluam për një kafe te Bar Sorkadhja, pasi na thanë se është bukur. Por cuditërisht dhe ajo kafene ishte gjysem e shkatërruar, pavarësisht vendit të mrekullueshëm ku ndodhej, larg harmonise me natyrën.

Fshatrat bio 
Gjithsesi i vetmi vend që na mbushi shpirtin në këtë udhëtim ishte fshati Vërzhezhë, në rrugën e kthimit nga Çorovoda. Rruga ishte shtruar dhe pse shumë e ngushtë, por të paktën mberritëm në vend me makinën tonë të vogël. Panorama ishte fantastike nga ajo majë mali. Fushat ishin të mbjella dhe pemët plot me fruta. Hardhitë e rrushit kishin kohën e tyre dhe vareshin plot më te gjitha varitetet e këtij fruti. Ata pak njerëz që kishin mbetur, punonin nga mëngjesi deri në mbremje vonë.

Këtu natyra dhe ushqimi janë të mrekullueshme, por sa flisje për të tjera gjera, te kapte trishtimi. Shkolla ka mbetur me shumë pak nxënës. Ka vetëm 9 vjecare, ndërsa gjimnazin duhej ta bënin ne Çorovode. Po kështu i duhet të zbresin në qytet, për doktorin, dentistin etj. Në kohën e Enverit këto shërbime ekzistonin në fshat. Pra dhe atje shteti dhe shërbimet e shtetit s’kane mbërritur. 

Politika
E përgjthshmja e një dite turi në Skrapar mund të përmblidhet me një fjali: Ky xhep i harruar rron ende si 25 vjet më parë. Gjithsesi banorët duken disi të kënaqur. Kur i pyet për politikë jane shumë aktivë, e kanë përgjigjen në majë të gjuhës. Shyqyr që kane kreun e LSI nga zona e tyre. Fjalen ‘LSI’ e pame te shkruar dhe ne mure, dhe madje mbi disa bagëti (s’na i kapi dot kamera). Por i pyes çfarë ka bërë LSI për këtë zonë? Se rruge jo e jo. – Po ja do bëjë- thonë-  do bëhet rruga që të lidh me Permetin, do bëhet kjo dhe ajo. – Por mbi të gjitha rroftë projekti TAP, i morëm ca lekë nga gazsjellësi- thotë një banor tjetër.
Eh sa të çuditshëm. Projekti TAP nuk është projekt i asnjë partie politike. Gjithsesi te paktën ka një investim në këtë zonë dhe pse i huaj. Ka dhe një shkendije shprese per turizmin. Jane kanionet e Osumit. Nuk shkuam per shkak te kohes ne dispozicion, këtë pjesë turistike e lamë për një herë tjetër, për të mos u kthyer me të njejtën shije të hidhur si kësaj here. 

0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mungesa e garës

Democracy not functioning… Kapitalizmi vetvetiu nxit një garë, ku të aftët përparojnë, shkollohen, bëjnë karrierë, pasurohen, ndërsa të…

Pa parti!

Pyetja më e sikletshme që bëhet rregullisht në këtë vend është: “Me ke parti je? Dhe kur përgjigjesh:…