Mbani fëmijët larg Instagramit!

Rinia e sotshme po vuan presionin e mediave sociale dhe po i largohet gjithnje e me shumë realitetit. Veçanërisht Instagrami po i çmend. Njihen si Millennials (30 vjecaret- të lindurit pas vitit 1985) dhe Generation Z (te rinjtë e erës së mediave sociale, të lindur pas vitit 1995), të cilët po jetojnë në një botë të egër virtuale, të etur por edhe të stresuar, për t’u bërë pjesë e saj.

Mjaft të shohësh ndjekësit e pafund në numër të personave VIP. Janë të gjithë të rinj, që duan të bëhen si ata, të vishen si ata, të hanë çfarë hanë ata, të kenë dhe fytyrën si ata. Por ky stërmundim po i largon nga vetvetja, nga jeta, talentet dhe ëndrrat e tyre dhe në fakt shkatërron tërësisht karakterin dhe të ardhmen e tyre.

Të dashur adoleshentë! Duhet të dini se Vipat tregojnë vetëm një pjesë jo reale të qenies së tyre në instagram. Në jetën e përditshme ata jane po aq normal sa njerëzit e zakonshëm, qeshin, mërziten, i komplimentojnë e i fyejnë. Ata bëjnë si ju: teshtijnë, pështyjnë, thonë fjale te papërshtatshme. Ata nuk janë ëngjëjt që ju mendoni.

Një ditë isha në një pishinë këtu në Tiranë dhe erdhi një person super vip që e njihni të gjithë pa dyshim. Kishte vendosur syze të mëdha, ndoshta të mos njihej, por u ul aq afer sa ishte e lehtë ta dalloje. Ishte vetëm. Fytyra ishte pa make-up dhe sinqerisht shumë e papastër. Flokët rrëmuje, pasi kishte ardhur për plazh, edhe pse nuk u fut asnjeherë në ujë. Po e shihja me kureshtje, çdo lëvizje të saj, kot për të parë ca momente nga jeta e një vipi. Për të pirë mori vetëm një shishe ujë (jo tekila, apo pije të shtrenjta siç mendoni ju). Nuk i hiqte syte nga telefoni. Siç duket shihte gjithë konkurentet e veta në instagram duke menduar për foton e vet të radhës, si të marrë më shumë pëlqime se konkurentet e veta. Dita e saj në plazh ishte mëse e zakonshme, si dita e të gjithëve rreth e qark. Por në mbrëmje, kur hapa instagramin dhe pashe për kuriozitet llogarinë e personit VIP të asaj dite. Një foto super yll, ndoshta nga arkiva, ndoshta e bërë me mundim e sforco atë ditë, pas plazhit. Super e nxirë, me një veshje provokuese të bardhë, e kuruar, edhe pse mjedisi prapa ishte ‘blur’, nuk dukej se ku ishte. Dhe ja fansat e saj e komentojnë pa fund, duke adhuruar sharmin dhe jetën e saj luksoze, kur në fakt momenti i fotografisë nuk tregon gjithë ditën që ka kaluar ajo.
Një mikja ime tregonte për një vip shqiptar, që ka mijëra fansa në Instagram, se hante me duar në tavolinë, pa përdorur pirun, dhe kur mbaroi drekën ku gjatë gjithë kohës, hante dhe fliste pa pushim, në fund as duart nuk shkoi t’i lante. Vajzat e reja çmenden pas tij, ndërkohë që të dashurve apo partnerëve të tyre nuk do ia falnin një sjellje të tillë në tavolinë.

Si t’ia thuash të rinjve të magjepsur, se idhujt e tyre nuk janë ideale, madje kanë dhjetra probleme njësoj si njerëzit e zakonshëm. Ndoshta dhe ca probleme më shumë që janë të shpeshta mes të famshmëve, si alkoli, droga etj


Instagram vs Reality (ilustruese)

Pa tualet as nuk do t’i njihni as në rrugë. Kushedi sa mund harxhojnë të bëhen gati për një foto, dhe pastaj fotografi që e shkrep dhjetra herë sa të bëhet ajo e duhura për instagram. Ata postojne foton kulminante të ditës, e cila më pas, përpunohet në photoshop dhe progame të tjera për të hequr gjërat e tepërta, dhe për të bërë filtrat e duhur.
E çfarë bëni ju të rinj? E shihni, mahniteni, bëni mijëra ‘like e komente” dhe vrisni mendjen si të dukeni si ato, si ai momenti magjik i saj apo i tij në foto. Shkoni i kërkoni lekë prindërve për të blerë veshjet e tyre, për të prerë flokët si ata, madje edhe për operacione plastike, për t’u ngjasuar atyre.

Në Amerikë po bëhet trend, ku vajzat madje duan korrigjime në fytyrë si në programet e filtrave të Snapchat apo programeve të tjera edituese të fotove. Ky është rezultat i pamundur. Edhe nëse operacioni del me sukses dhe bëhesh e bukur, çfarë do të ndodhë? A mund të bëhesh po aq e famshme sa idhulli yt? Kjo nuk ndodh. Do marrësh po aq pëlqime e komente sa është rrethi yt shoqëror. Zhgënjmi do jetë shumfish. Dhe shumë të rinj nën një presion të tillë të mediave sociale hyjnë në depresion e madje tentojnë vetërasjen.

Radhime sivjet

Çuditërisht në plazhe sivjet, shihje rëndom meshkuj që u bënin foto shoqeve apo te dashurave te tyre të pakënaqura. Them të pakënaqura pasi pozonin dhjetra herë, ndërsa djali i ndiqte levizjet si paparac dhe pastaj i shihnin në aparat, nuk u pëlqente dhe kërkonin ripërseritje… Kështu ikte dita e plazhit. Jo për t’u kënaqur me detin, por për të bërë foto. Ndonjëherë mjafton dhe një ditë plazhi për të bërë një set të mirë fotografish dhe për ta shitur si një muaj pushime në Instagram. Stres për të kënaqur të tjerët, aspak veten. Dhe trendi ishte: mos shëno ku ishe me pushime. Se Durrësi psh nuk është për vipat, vetëm jugu është trendi, dhe kështu mund të shkruash thjesht ‘Pushime në Jug’, se deti njësoj është. Mjaft që dhe ti të dukesh se ke pushuar në zonën e VIP-ave, sepse vetëm kështu je dhe ti VIP. Ndryshe nga kanalet e tjera sociale, ku Facebook është për muhabet, Twitteri është për lajme të shpejta, Instagrami është një garë për bukurinë dhe famën. Është një program stresant, që sinqerisht, edhe pse kam një llogari modeste aty, uroj të mbyllet. Kjo sepse është shembulli më negativ për brezin e ri.
I vetmi shpëtim janë prindërit. Largojini femijet nga ajo botë e pavertetë, qëndrojini pranë sa të piqen dhe të duan jetën që kanë, të zgjedhin të ndjekin ëndrrat e tyre dhe hobet e tyre. Futini në kurse sa të mundeni, zërini ditën, ofroni dhe shpërblim për leximin e librave dhe punët e shtëpisë. Mjaft që të shkëputen nga rritmi marramendës i Instagramit. Sfidë e vështirë, por jo e pamundur…

0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like
Read More

Pëllumbi i varur..

Ka disa ditë që shoh nje pamje horror përballë pallatit tim. Nje pëllumb i varur.  Ndoshta duke kërkuar ushqim…