Njerëzit më të bukur të Shqipërisë për mua janë gjyshërit dhe gjyshet, mosha e tretë. E dini pse? Sepse ata kërkojnë shumë pak nga jeta, vetëm një fjalë të mirë. Nëse i thua të të bëj një foto, gjithë lumturi dhe emocion marrin poza, si dikur kur dilnin në tabelë nderi. As nuk të pyesin ku do e publikosh, as ta kërkojnë t’ia dërgosh për ta vendosur në facebook. Janë të lumtur që dikush interesohet për ta. Janë të kënaqur që ti ndalon dhe qëndron pak minuta me ta, dhe kur u bën foto ndihen të rëndësishëm.
E keni venë re që ata nuk ankohen kurrë? Dhe nuk ka brez me të lodhur e më të raskapitur se ata. Gjithë jetën e kaluan në diktaturë, me punë në koperativë, aksione, uzina e zborre ushtarake. Për ta paraja nuk kishte dhe nuk ka rëndësi. Rëndësi ka vetëm fjala e mirë dhe nderi. Nëse thonë se filani është burrë i ndershëm dhe familje e respektuar, s’ka lumturi më të madhe për ta. Të ndershëm në punë, në marrëdhëniet me njerëzit. Për tjetrin bëheshin copë, dhe zilia që sundon sot tek brezat tanë nuk ekzistonte. Punonin dhe gëzonin më shumë se ne, gjithcka e ndanin bashkë. Sa krenarë janë për jetën që kanë bërë, sa ne nuk e imagjinojmë dot. Pak t’i pyesësh për të shkuarën e tyre, dhe historitë nuk rreshtin. Mjaft të kesh kohë dhe dëshirë t’i dëgjosh.
Një gjysh me veshje popullore dhe bastun qëndronte i ulur si mbret në një karrige te tryeza e vajit të ullirit “tre Miqtë”. Edhe ai ishte pronar. Sa krenar dukej. Pranonte të bënte foto me këdo. Nuk fliste asnjë fjalë vetëm pozonte e buzëqeshte.

Dhe ja një gjysh tjetër që ia mori valles. Aq virtuoz dhe aq i lumtur dukej ato çaste. Edhe kryesimi i valles ka rëndësi, dhe kur je i pari duhet të japësh shfaqje më shumë se të tjerët. U kënaqa duke e parë dhe fotografuar.