Gazetaria përfundimisht ka ndryshuar si profesion. Kjo në gjithë botën, dhe ca më shumë në Shqipëri, për shkak të bumit teknologjik dhe futjes ne lojë të mediave sociale. Vetëm në Shqipëri janë 800 portale, ku mendohet se jo vetëm çdo lëvizje politike, por edhe çdo njeri i fuqishëm ka nën kontroll një prej tyre, dhe e përdor për të sulmuar kundërshtarët. Lexuesi nuk di më çfarë të besojë. Aq i shtrëmbëruar është fakti dhe e vërteta, sa gazetaria ka humbur plotësisht misionin e saj si pushtet i katërt.
Dikur, 20 vite më parë, gazetat ishin më të lexuarat në Shqipëri, dhe gazetari i mirë dukej nga tema për të cilën shkruante dhe nga mënyra se si shkruante. Sot duket se gazetarë quhen vetëm ata që dalin në televizor, që në fakt shumica janë spikerë. Njerëz që ndoshta nuk kanë bërë kurrë gazetari terreni dhe kanë nisur punën e tyre të parë direkt në studio. Gazetarët e terrenit janë të fshehur, të pavlerësuar dhe më të keqpaguarit dhe pavarësisht se përpiqen të zgjedhin fjalët në artikujt e tyre, impakti në publik është i vogël krahasuar me ata të ekranit, që shpesh thonë gjëra pa kuptim. Sigurisht një pjesë e tyre as lajmet dhe as tematikën për të cilën flasin nuk e shkruajnë vetë. Dyshoj madje që shumë prej tyre dinë të shkruajnë, por gjithsesi. Ky është realiteti. Nuk më takon mua të përcaktoj se cili duhet të quhet gazetar, përsa kohë ka universitet gazetarie. Por këtu po përpiqem të sjell një copëz nga historia e gazetarisë ku unë kam marrë pjesë këtu e 18 vite më parë.



