Këtu nuk nxirret mësim nga asnjë ngjarje

Media shqiptare është larguar tërësisht nga misioni edukativ dhe po ndikon negativisht në psikologjinë e qytetarëve. Në ekranet tona sheh dy tipologji emisionesh: emisionet e luksit me të njëjtët vipa përgjithësisht të pasuruar jo me djersën e tyre e që nuk sjellin asnjë model të mirë për shoqërinë; dhe emisionet politiko-kronike, të njëjtët njerëz që tjerrin ngjarje aq shumë të koklavitura pa shpjeguar asgjë në fund.

Historitë e fundit me Xhisele, Nuhu, Tagan, Babale dhe emra të tjerë konkretë të fortësh në bllok, janë aq banale dhe nuk meritojnë të zenë gjithë hapësirat televizive, që duhet të jenë edukative dhe të përfaqesojnë gjithë shqiptarët. Shumë pak qytetarëve u intereson se çfarë bëri njeri apo tjetri nga këta personazhe në detaje. Media nuk duhet të merret me historitë personale të askujt. Televizionet mund t’i përdorin disa ngjarje të tilla për të dhënë mesazhe edukative dhe përgjithësuese që histori te tilla te mos ndodhin me, ndërkohë që hetimet t’ua lënë organeve kompetente. Vetëm këtu hetimet dhe gjyqet bëhen në ekran. Pra nëse një vajzë dhunohet, tema e emisionit nuk duhet jete emri dhe historia e vajzes, as ku shkoi, kush e mori, kë ka shoqe, por tema duhet të jetë  thjesht ‘kundër dhunës ndaj grave’, ku psikologë, ligjvënës, arsimtare të sjellin ide të reja për t’i futur si tema në shkolla, ku formohet dhe edukohet brezi i ri. Po kështu mund të propozohen fushata ndërgjegjësuese tematike në zonat rurale, ku problematika të tilla janë më të shumta. Këtu nuk nxirren mësime nga asnjë ngjarje. Shihni fushatat që bën dhe një shtet si Ruanda, për të edukuar që në fëmijëri respektin ndaj gruas. A ka ndodhur ndonjëherë që nga ndonjë ngjarje e rëndë këtu, të kemi nisur një aksion mbarëkombëtar edukativ, parandalues që histori të tilla të mos ndodhin më? Asnjëherë.

Media shqiptare në këtë gjendje që është sot, po ‘dhunon’ jetën e çdo qytetari në këtë vend. Mjaft të hapesh ekranin në darkë dhe çmendesh. Vetëm përmes mediave dhe lajmeve që perzgjedhin ato, ky vend po duket i pajetueshëm. Dhe këtë e vërtetoni lehtë. Provoni një dite mos të hapni televizor apo te mos lexoni portalet dhe jeta mund t’ju duket me e qete dhe me e bukur per ta jetuar. Aty do ta kuptoni ndikimin depresues që na shkaktojnë mediat tona. Ketu te gjithe vjellin vrer, ankohen, por shume pak japin ide për zgjidhje, dhe prandaj asgjë nuk ndryshon. Nuk shohim në studio të ftohen specialistë të cdo ceshtje të japin ide dhe zgjidhje për çdo problematikë, por vetëm dy tre gjithollogë dhe politikanë. Media është bërë pushtet i një grupi të vogël personash. Si të bëjnë të tjerët që kthehen të lodhur nga problemet reale të jetës, dhe duan të shohin në ekran dicka edukative që t’i vlejë në jetën e përditshme? Ka njerëz që kanë problem me ekonominë, pronat, me arsimin e fëmijëve, me sigurinë në punë, me taksat etj. Këta nuk duan të shohin fare kronikë të zezë e as politikë, por as emisione humori të shthururra si ‘Ermali apo Çani’, por as emisione ku luksi kërcet, si ato të Alketës. Te gjithë jemi dakord se këtu duhet një revolucion, në media, në politikë e drejtësi. Por ndërkohë, sa të ndodhë kjo, jeta jonë ikën, dhe askush nuk ka kohë për të humbur. Ju dhe unë mund të zgjedhim ta bojkotojmë këtë ushqim tensionues të ekraneve tona, duke bërë gjëra të vogla por të mira në familjen, punën dhe komunitetin tonë, duke dalë në natyrë dhe duke shijuar argëtime të vogla pa u ndikuar nga modelet pavlerë që ofrojnë mediat tona. Ndoshta ata do vuajnë për klikime dhe shikueshmëri, dhe do përpiqen të gjejnë temat e duhura për të rikthyer audiencën. 
0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like
Read More

Pëllumbi i varur..

Ka disa ditë që shoh nje pamje horror përballë pallatit tim. Nje pëllumb i varur.  Ndoshta duke kërkuar ushqim…