Sa pak “Shqip’ në ekranet tona

Mbyllja e emisionit ‘Shqip’ kaloi disi në heshtje. Nuk duket se pati keqardhje as nga kolegët e gazetares Xhunga dhe as nga publiku në aq pak komente që u shprehën në fund të këtij lajmi. Kolegët ndoshta kanë menduar:“një konkurent më pak”, ndërsa komentuesit e thjeshtë duket se ishin indiferentë. Ndoshta u lodhën 13 vite, por çfarë do na ‘çlodhë’ tani? ‘Shqip’ kishte emrin më të bukur ndër emisionet shqiptare. Dallonte nga emisionet e tjera për nga: larmishmëria e temave, (letërsi, shkencë, kulturë, ekonomi, politikë, turizëm etj; nga gjuha shqipe e pastër , emocionet qe përcillte gazetarja; e se fundi pavarësisht shterimit të temave kurrë nuk degjeneroi ne tema të tilla si: Çfarë të veshim; Belfie apo Selfie; Tradhetia online etj.

Në fakt Rudina do gjejë një “dritare” tjetër dhe nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Problemi është me çfarë po i zëvendësojmë emisione të tilla, larg banaliteteve, ku mendohet e flitet shqip? Cilat janë platformat televizive që ofrojnë televizionet për publikun shqiptar dhe a janë ato edukuese? Të sjellësh platforma të kopjuara alla ‘Big Brother’ ku prezantuesit janë recitues të skenareve te gatshme, dhe nuk ofrojnë idetë e tyre, ndërsa personazhet brenda këtyre platformave shpesh përfaqësojnë anën më të ‘shthurur’ të shoqerisë, dhe ta plasësh në një realitet kaq të ndryshëm sa realiteti shqiptar, nuk është vlerë.

Njerëzit e ekranit në vende të tjera si Oprah Winfrey apo EllenDe Generes, e perdorin talentin e tyre- Fjalën- për të ndikuar në shumë çështje të komunitetit, si emigrantet, mjedisi, kultura, etj. Jo më kot ato kanë me shumë ndjekës sa Barak Obama apo ikona të tjerë të muzikës, kinematografisë e futbollit. Në këtë këndvështrim personazhet tona të ekranit nuk janë modele për t’u ndjekur.

Në fakt çështja nuk qëndron te individët televizive, por te tematika që ofrojnë. Mania për t’i mbushur ekranet me emisione të kopjuara i ka përfshirë gjithë televizionet. Ka pak emisione të ideuara direkt në shqip, ndërkohë që kemi aq shumë problematika për t’i trajtuar në ekranet tona. Përveç politikës që e shohim nga e hëna në të dielë, mund të ideohen dhjetra emisione që në fokus të kenë të rinjte shqiptare me problematikën e tyre, shkolla, droga, alkoli, përballjet mes brezave, problemet mesues-nxenes, prinder-nxënës. Mund të trajtohen emisione me fokus gjuhën shqipe që po pëson shformime të mëdha, librat tekstet shkollore që po devijojnë historinë. Mund të trajtohen tema të kenë në fokus artin dhe kulturën, monumentet tona dhe si të rigjallërohen ato. Mund të trajtohen tema të institucionit të familjes që po përballet me një shok psikik dekadat e fundit. Në ekranet tona duhet të trajtohen tema që burojnë nga realiteti ynë dhe jo t’i imponojmë publikut realitetet e huaja, me skenografi dhe lukse të shfrenuara, pa menduar aspak se pjesa më e madhe e atyre që janë pas ekranit janë njerëz të varfër e me dhjetra probleme. Ekrani nuk u jep bukë, por kulture për fëmijet, informacion, alternativa dhe mundësi të ndryshme për të dalë nga gjendja e tyre, pse jo. Krijohet një ide e rreme se Tirana jeton në luks, se gjithçka është si jeta e ekraneve. Falë modelit që promovojnë këto ekrane, deshirat e të rinjve tanë janë absurde. Shumë pak qëndrojnë e punojnë në qytetet apo fshatrat e tyre. Vijnë në kërkim te jetës së luksit, të cilin duan ta arrijnë menjëherë. Gënjehen edhe nga modele të tilla si deputete 20 vjecare, këshilltare 19 vjecare, të cilat media i promovon pa thënë arsyen e vertete, se ato aty s’janë aspak për meritë të tyre, por të mikut, apo shokut të kryetarit të partise.

Në fakt, të rinjtë kanë plot misione për të kryer. Sot në botë, të rinj 20 vjeçarë me laptopë, të mbyllur në një bodrum a garazh, po shpikin aplikacione të jashtëzakonshme që po e lëvizin botën me shpejtësi. Gjithashtu të rinjtë mund të udhëheqin lëvizje të mëdha për përmiresimin e cilësisë së jetës në këtë vend. Ata mund të bëjnë atë që prindërit e tyre të rritur në diktaturë nuk mund ta bënin dot. Bota zgjedh dhe promovon modele sociale për t’u ndjekur. Dhe në shoqërinë tonë nuk mungojnë, por ne zgjedhim të promovojmë bukurinë, luksin e jashtem, dhe jo vlerat. Mediat tona duhet të shfrytëzojnë pushtetin e tyre për trajtuar shqip realitetin shqiptar dhe për të promovuar vlerat tona më të mira, duke i dhuruar publikut modele të vërteta për t’u ndjekur. Roli edukativ i medias, duhet të dominojë në një shoqëri kaq problematike dhe ende tranzitore, si kjo e jona.

0 Shares:
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like