Të dashur shqiptarë të Kosovës! Vazhdoni besoni në vlerat tuaja, në betejat tuaja për liri e demokraci e njohje në botë. Mos kërkoni ndhmën e Shqiperisë. Shqipëria është më keq se ju.
Jemi nje gjak, por gjaku yne është prishur rrugës.
Ne jemi ata që kur vjen pushtuesi ia mbathim, vjedhim dhe florinjtë, ndërsa ju luftoni deri në pikën e fundit të gjakut.
Ne jo vetem iu nënshtruam një diktatori të çmendur, por nisëm spiunonim njeri tjetrin se kishim qejf ta shihnim fqinjin ne burg, dhe të merrnim merita e privilegje për këtë. Ndërsa ju i rezistuat asimilimit jugosllav, ruajtet gjuhën dhe forcuat lidhjet me njeri-tjetrin.
Ju u përgjysmuat në numër, duruat dëbime, vjedhje, përdhunime dhe më e pakta që kërkoni është një falje publike nga ana e dhunuesit. Nuk po kërkoni dënim, por të paktën një falje. Është njësoj si në një sherr dikush të të rrahë, të të gjakosë dhe të mos dënohet, por kur të kërkon falje, paqja është duke ardhur. Vazhdoni të besoni kështu. Mos bëni paqe pa një falje, është dinjitet. Mos ktheni kokën nga ne. Ne nuk kemi vuajtur atë që vuajtët ju, nuk ju kuptojmë dot.
Në pak vite shtet, ju ditët të beni zgjedhje te rregullta, ne asnjehere deri më sot.
Ju besoni te institucionet, ne vetem te udhëheqesit dhe zgjidhjet dhe shijet e tyre. Shteti tek ne janë udhëheqësit prej dekadash.
Ju keni nxjerre artistë të mëdhenj dhe i keni dhënë botës sharm me këngëtarët, filmat dhe sportistët tuaj. Ju bëni art të vërtetë të denjë për kompeticionet botërore. Ne shkojmë nëpër botë sa për të bërë xhiro dhe shpesh mburremi me ju.
Ju luftoni me aq sa mundeni me ambasadorët tuaj, ngrini zërini kudo hapur për të vërtetat tuaja. Ne nuk guxojmë, as për vete e as për ju. Sot e kësaj dite, asnjë diplomat a lider shqiptar nuk guxon t’i kërkojë Greqisë të heqë ligjin e luftës, të iniciojë rezoluta për dëmshpërblimin e çamëve dhe as t’i kërkojë Serbisë të pranojë krimet në Ballkan.
Ne sot jemi gati të vritemi për një farë Bregoviçi, madje po arrijmë ta quajmë këngëtar me vlera botërore, dhe pse veç serbëve nuk e njeh askush në botë. Është thjesht pjesë e një axhende, ku Shqipëria po përdoret. Disa ditë më parë një lajm i ngjashëm doli se shqiptarët në Shëngjin dëgjojnë Cecën, gruan e famëkeqit Arkan që masakroi kosovarët në luftë. Shqipëria, e detyruar nga shumë rrethana të paqarta për shqiptarët, ka marrë tashmë flamurin e paqes në Ballkan, duke i vënë shkelmin historisë. A thua dje nuk ka ndodhur asgjë. Jemi fiks për këtë punë. Jo më kot vetë Shqipëria vetë nuk guxon pas 30 vitesh të hapë dosjet e komunizmit dhe bijtë e përsekutorëve sot janë ende në pushtet. Ne harrojmë shpejt, dhe jetojmë me dhunuesit tanë pa problem.
Ndaj, mos u çudit e dashur Kosovë, se do i shkojme budallallëkut deri në fund. Mos prit asnjë tërheqje. Sheshi në festën e Birra Korça, do mbushet me fytyra të bukura që do gëzojne e do pijnë për Bregovicin. Kemi gati patronazhistet e rinj qe do e mbushin sheshin me një fishkëllimë. Dhe gjithë propaganda me dhjetra fotografë do vihet në punë të kapë imazhet më të bukura të kësaj feste paqësore. Shqipëria model i bashkëjetesës dhe harresës. Do t’ia japim botes deri ne fund imazhin e paqedashësve të Ballkanit, në vijim të axhendës së nisur tashmë ‘Open Ballkan’. Bregovici ndoshta do shpallet këngëtari më i dashur për shqiptarët, vetëm që axhenda e nisur të shkojë deri në fund. Do t’i japim dhe disa medalje.
E dashur Kosovë, mos u mërzit. Ne nuk jemi paqedashes, ne jemi thjesht të përdorur dhe të nënshtruar, e aspak trima, siç kemi qenë në shekuj. Gazetarët tanë të paguar po sulmojnë si hijena liderin e zgjedhur të Kosovës, here e quajnë kokëfortë e konfliktual e herë tregtarin dhe dashnorin më të madh të Serbisë. Hedhin teza që nuk i besojnë as vete. Por mos u çudit Kosovë se ata thjesht po lehin për copën e madhe që marrin. Jo më kot në vendin tonë politikanët dhe gazetarët janë njerëzit më të pasur. Kjo nuk ndodh kudo.
Ndaj Kosovë, ju mbaftë e juaja, besoni në vlerat tuaja, vazhdoni ecni vetëm dhe pse kjo do ketë shumë kosto e vuajtje. Ne si Shqiperi, jemi duke bërë rrotullimin e radhës rreth vetes. Ende nuk kemi bërë ende shtet demokratik, zgjedhje të rregullta, institucione të qëndrueshme dhe drejtesi për të gjithë (jo selektive). Jemi ende larg. Ju jeni më përpara se ne, ecni me hapa të vegjel e të sigurt, mos u rrotulloni 100 vite ne vend si ne.